‘MARIO MARKU MUZIKANTI DHE ORKESTRUESI I NJOHUR – I CILËSUAR DHE SI ZËRI I MUZIKËS TONË “

Mario Marku është një nga muzikantët dhe orkestruesit më të njohur të trevës së Veriut dhe të gjithë skenës muzikore shqiptare. Ai u rrit nën tingujt e muzikës klasike botërore dhe muzikës tradicionale popullore të Shkodrës dhe të zonës së veriut , duke zhvilluar që herët një ndjeshmëri të veçantë për muzikën burimore shqiptare. Pas studimeve të tij në fushën e muzikës, Mario Marku e përqafoi me pasion profesionin e muzikantit, duke ndërtuar një karrierë të gjatë, të pasur dhe të respektuar. I njohur për mjeshtërinë e tij si pianist, multiinstrumentist dhe orkestrues, ai ka arritur të krijojë një stil të veçantë në aranzhimet muzikore, duke bashkuar motivet e muzikës popullore me frymë moderne dhe cilësi të lartë profesionale. Krijimet e tij janë të qarta, të pastra, plot emocion dhe dinjitet artistik, duke sjellë tinguj që flasin me shpirtin e publikut.

Mario Marku ka bashkëpunuar me një sërë artistësh të njohur të muzikës shqiptare, për të cilët ka realizuar orkestrimet e disa prej këngëve më të dashura të repertorit shqiptar.

Ai është autor dhe orkestrues i shumë këngëve që janë kënduar në festivalet popullore në Malësi, Ulqin, Shkodër, Lezhë, Diasporë, dhe kudo ku shqiptarët mbledhin vlerat e tyre kulturore. Ai ka realizuar mbi 300 produksione, të cilat janë Këngë të ndryshme dhe shumë shumë projekte që mbajnë vulën e tij si artist i kompletuar.

Përveç talentit muzikor, Mario Marku njihet edhe për seriozitetin, përkushtimin dhe korrektësinë në punë, duke u bërë një pikë referimi për shumë artistë të rinj që kërkojnë cilësi në realizimin e projekteve të tyre.
Sot, ai mbetet një shtyllë e rëndësishme e identitetit muzikor shqiptar, që ruan, përpunon dhe përhap me dashuri shpirtin e Muzikës veriore Shqiptare, duke i dhënë asaj një zë që dëgjohet me respekt anembanë botës shqiptare./Pal Qarraj Kastrati News PortaliShqiptar.online.

Author: news