
Kam lexuar dhe dëgjuar se dikur në Malësi dhe më gjerë, kishte femra që e braktisnin bukurinë, finesën dhe të drejtën për të krijuar familje, por asnjëherë nuk kisha takuar një prej tyre.
Megjithëse jam adhurues i këtyre historive që kalonin nga brezi në brez, mendoja se ndoshta koha i kthen në legjenda, por jo, ajo ishte e vërtetë, aty përballë meje në lokalin ku kishte hyrë për të ngrënë drekë sëbashku me të afërmit e saj.
Unë po pyesja veten nëse ajo është Gjystina e thirrur dhe me emrin ‘DUNI’ apo është dikush që I ngjan, por dyshimet e mia u fashitën kur ajo na përshëndeti dhe na ofroi nga një pije të gjithëve që ndodheshim në lokal, e si mund të ishte ndryshe një bijë e Bjeshkëve të Kelmendit, që të gjithë e quajnë Burrneshë, një malsore që u bë krah për rritjen, shkollimin, martesën e motrave dhe vëllezërve, e tashmë dhe të nipave dhe mbesave të saj, e vetëm një burrneshë vepron kështu, me një lirshmëri dhe një komunikim të qartë dhe të pastër, ku duket si një mit që koha e ka sjellë nga shekujt për ta bërë shembull në rrëmujën e madhe të modernizimit të shpejtë që ka ardhur në tre dekadat e fundit.
Gjystina apo Duni, burrnesha që u bë pjesë e dokumentarëve dhe specialeve të televizioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, modeli i femrës Malsore që u kthente në rolin e vështirë të burrneshës, ajo që ecën krahas me burra, në raste e në kuvende, ku respekti i jepet si çdo njërit prej tyre, ku i dëgjohet fjala dhe mendimi, e pra legjendat janë të vërteta, ato jetojnë mes nesh, dhe një prej tyre është Burrnesha Bjeshkëve të Kelmendit Gjystina Grishaj (DUNI)
“Nga Pal Qarraj./ Kastrati News “