“Lueje Gocën e Malsisë” Jasmin Nikaj dhe Viki Camaj sjellin projektin me tingujt festiv që bashkojnë traditën me emocionin”

Muzika burimore e Malësisë vjen më e gjallë se kurrë përmes këngës “Lueje Gocën e Malsisë”, një potpuri e veçantë e këngëve që malsorët i kanë kënduar ndër breza në festa, gëzime e dasma. Kjo perlë folklorike interpretohet mjeshtërisht nga dy zëra të mirënjohur e të dashur për publikun Jasmin Nikaj dhe Viki Camaj.

Me zërat e tyre të ngrohtë dhe plot shpirt, Jasmini dhe Viki i japin këtij kolazhi një dimension të ri artistik, duke ruajtur rrënjët e traditës, por njëkohësisht duke e sjellë atë më afër audiencës së sotme. Pikërisht kjo e ka bërë këngën që të fitojë shpejt zemrat e publikut dhe të dëgjohet gjithnjë e më shumë në çdo ambient festiv.

Orkestrimi mban firmën e Saimir Beqajt, ndërsa instrumentet janë interpretuar me mjeshtëri nga Nikolla Gjokaj dhe Vaso Memçaj, duke krijuar një harmoni të fuqishme që të fton të ngrihesh në valle. Zërat e dytë nga Tomas Kalaj i japin këngës thellësi dhe gjallëri shtesë, ndërsa realizimi vizual nga Eurolindi e plotëson projektin me një video dinamike dhe autentike.

“Lueje Gocën e Malsisë” nuk është thjesht një këngë është një thirrje për festë, një rikthim tek rrënjët dhe një premtim i sigurt për t’u shndërruar në hitin e dasmave, ahengjeve dhe eventeve të mëdha kudo ku rreh zemra malsore.
Traditë, festë dhe emocion, të gjitha në një këngë.
Lueje gocën lueje… se Malësia këndon përgjithmonë./Pergaditi Pal Qarraj Kastrati News

Author: news