
Në çdo skaj të botës, fëmijët shqiptarë po tregojnë se rrënjët tona janë të forta dhe krenaria jonë e pakrahasueshme. Një ndër këta yje të vegjël që po ndriçojnë me talentin dhe përkushtimin e tyre është Melisa Leka, një vajzë 12-vjeçare nga Toronto, Kanada, që po ecën me hapa të sigurt drejt majave të suksesit.
Melisa është bija e Sokol Lekës, nga Mali i Kolajve, Velipojë të cilët origjinën e kanë nga Lohja e Malësisë së Madhe – dhe e Mire Lekës lindur (Frangaj) nga Rapsha e Hotit, Malësi e Madhe. Me këtë trashëgimi të fuqishme shqiptare, ajo po rritet mes vlerave, dashurisë për atdheun dhe përkushtimit ndaj dijes dhe sportit.
Kampione në Taekwondo, Melisa ka shkëlqyer jo vetëm në garat kombëtare në Amerikë, por këtë vit ka zënë edhe vendin e tretë në një kampionat ndërkombëtar në Barcelonë – Spanjë. Për shkak të zhvillimit të saj trupor dhe nivelit të lartë të përgatitjes, trajnerët e aktivizojnë në kategorinë 13–14 vjeç, edhe pse është vetëm 12. Kjo flet shumë për aftësinë dhe përkushtimin e saj.
Në të njëjtën kohë, Melisa vazhdon klasën e 7-të me rezultate të shkëlqyera. Ajo nuk është vetëm një kampione në sport, por edhe një nxënëse model, e dashur dhe e respektuar nga mësuesit dhe bashkëmoshatarët.
Veç Taekwondosë, Melisa dallon edhe në atletikë, ndërsa pasioni i saj për artin është shfaqur në mënyrë të veçantë në kinëmatografinë kanadeze, ku ka interpretuar në disa filma, duke treguar një talent të shumëanshëm dhe një të ardhme të ndritur.
Melisa Leka është më shumë se një vajzë e talentuar – ajo është një pasqyrë e bukurisë shqiptare, e vlerave familjare dhe e punës së palodhur.
Në Toronto, ku jetojnë mijëra shqiptarë, Melisa është bërë simbol krenarie për të gjithë komunitetin, dhe një frymëzim për shumë fëmijë shqiptarë që ëndërrojnë të arrijnë sukses në sport, art dhe shkollë./Pal Qarraj Kastrati News PortaliShqiptar.online