
Largimi nga atdheu nuk është një zgjedhje e lehtë. Është një ndarje mes zemrës dhe mendjes, mes asaj që do dhe asaj që duhet të bësh. Kur u largova nga Shqipëria në vitin 2016, nuk e kisha menduar se kjo do të ishte një rrugë pa kthim. Isha 28 vjeç dhe po lija pas jo vetëm një jetë të ndërtuar me mund e sakrifica, por edhe pjesën më të madhe të identitetit tim.
Rrugëtimi im nisi në Curraj të Poshtëm, Tropojë, ku linda dhe kalova fëmijërinë. Shqipëria e asaj kohe më dukej gjithçka që më duhej. Në vitin 2005, familja ime u shpërngul në Tiranë dhe unë fillova studimet për Gazetari. Ishin vite plot energji, ambicie dhe ëndrra. Por brenda meje ekzistonte edhe një tjetër dëshirë: Akademia e Rendit (policise). I përfundova të dyja dhe fillova punë në Patrullën e Përgjithshme. Një karrierë e sigurt, një e ardhme e qartë – deri kur jeta më vuri përpara një zgjedhjeje të madhe: të qëndroja në Shqipëri apo të nisja nga e para diku tjetër.
Në atë kohë, vendosa të ndjek dashurinë time në Suedi. Nuk ishte një vendim i lehtë, por ishte ai që ndjeva se duhej të merrja. Largimi nuk është thjesht një ndryshim gjeografik; është një transformim i brendshëm. Fillimisht në Suedi, më pas në Angli për tre vjet dhe sërish kthimi në Suedi – secila fazë e këtij rrugëtimi më ka dhënë një perspektivë të re për jetën dhe për veten.
Jeta në një vend të huaj më mësoi se çfarë do të thotë të jetosh në një shoqëri që funksionon. Në Suedi, njeriu respektohet, pavarësisht se nga vjen. Meritokracia, siguria dhe drejtësia nuk janë thjesht fjalë të bukura, por realitet i përditshëm. Kjo më bëri të kuptoj edhe më qartë atë që kisha lënë pas – një Shqipëri të pasur me shpirt, por të varfër nga politika dhe keqmenaxhimi.
Si të kthehesh në një vend ku çdo ditë zbulohen skandale korrupsioni, ku fondet publike vidhen pa asnjë pasojë? Si të jetosh në një vend ku kryetari i Bashkisë së Tiranës arrestohet për korrupsion dhe vjedhje, ndërsa pushteti përpiqet ta mbrojë me çdo mënyrë? Ku kryeministri dhe kryetari i opozitës sulmojnë SPAK-un, duke delegjitimuar të vetmen shpresë për drejtësi? Një vend ku policia nuk është në shërbim të qytetarëve, por e kapur politikisht, ku spitalet nuk kanë ilaçe dhe ato që kanë, sipas vetë mjekëve, janë pa efekt.
Ekonomia është kthyer në një mekanizëm të ndërtuar për të shërbyer vetëm interesave të një grushti njerëzish. Të jetosh në Tiranë po bëhet e pamundur për shumicën, me çmime të apartamenteve që i vendos mafia e ndërtimit, e cila pastron miliarda euro përmes kullave të betonit. Ndërkohë, një i ri me rrogën minimale nuk mund të përballojë as qiranë e një dhome. Investimet e huaja mungojnë, bizneset mbyllen për shkak të taksave të larta dhe korrupsionit, ndërsa shqiptarët detyrohen të largohen për të mbijetuar.
Në Shqipëri, pushteti nuk është më një mjet për të ndërtuar shtetin, por një instrument për të vjedhur dhe sunduar.
Administrata publike është e mbushur me militantë partiakë, ndërsa profesionistët e ndershëm largohen ose shtypen. Drejtësia, ndonëse po bën hapa përpara me SPAK-un, mbetet nën trysninë e pushtetit dhe krimit të organizuar. Çdo ditë dëgjojmë për afera të reja korruptive, por a ka vërtet ndonjë politikan që dënohet?
Mërgimi të mëson shumë, por një gjë është e sigurt: askund nuk ndihem plotësisht në shtëpi. Në Suedi mund të gjej siguri, stabilitet dhe një jetë të ndërtuar mbi rregulla dhe meritë, por asgjë nuk e zëvendëson ndjenjën e të qenit në vendin tënd. E megjithatë, a ka më Shqipëria vend për ne që duam të kthehemi?
A do të kthehesha? Po, pa hezitim – nëse Shqipëria do të ishte vendi që shqiptarët meritojnë. Por për sa kohë që largimi mbetet alternativa e vetme për një jetë më të mirë, rrugëtimi im në mërgim do të vazhdojë. Dhe me të, edhe ëndrra për një ditë kur vendi im të mos jetë më një vend që të detyron të largohesh, por një vend ku mund të kthehesh me krenari.
Nëse Shqipëria nuk ndryshon, do të mbetet një tokë e zbrazët, ku vetëm ata që nuk kanë mundësi të ikin do të mbijetojnë. Dhe kjo është tragjedia më e madhe e një kombi: kur bijtë e tij nuk duan ta lënë, por nuk kanë zgjedhje tjetër.
Besnik Nikoll Palnikaj